Seria e fitoreve për Vllaznia U19 në kampionat vazhdon. Mesditën e sotme ajo ka arritur të mundë edhe Internacional, madje me një rezultat të thellë 5-0, duke i shkaktuar një “tërmet 5-ballësh” kundërshtarit. Në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi” mesditën e sotme, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani, kanë shënuar shumë shpejt.

Ata kanë kaluar në avantazh në minutën e 10-të pas autogolit të shënuar nga Reçi i Internacional. Gjashtë minuta më vonë do të vinte goli i dytë me autor mesfushorin Uheid Hoxha ndërkohë që në ’38 do të vinte edhe goli i tretë me autorë Eridon Qardakun.

Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 3-0 për ekipin shkodran. Në fillimin e së dytës, pikërisht në minutën e parë të saj sulmuesi Muhamedin Lisaj do të shënonte golin e katërt ndërsa një minutë më vonë do të ishte sërish mesfushori Hoxha që do të shënonte golin e pestë dhe të dytin për të.

Ky do të ishte njëkohësisht goli i fundit i kësaj ndeshje. Përfundimisht 5-0 për Vllaznia U19 që pas kësaj fitoreje ngjitet në kuotën e 28 pikëve duke mbajtur kreun e renditjes.

Shumë pozitiv është edhe diferenca e golave të shënuar me ato të pësuar që është +29. Shifra këto që tregojnë më së miri se ky ekip është i denjë për t’u shpallur kampion edhe këtë sezon.
© shkodrasport.com