Tre gola për tre pikë nga Vllaznia U19, por duket se fitorja e sotme ndaj Shkëndisë së Durrësit nuk do t’i vlejë për arritjen e objektivit, sigurimin e një vendi në play-off.

Kjo ngaqë ekipi shkodran ka shumë pak shanse për të qenë në mes katër ekipeve të para të grupit A, të cilët do të vazhdojnë më tej rrugëtimin në kampionat. Dy ekipet rivale të tij, Shënkolli dhe Laçi i kanë fituar ndeshjet e tyre sot dhe kësisoj vijojnë të jenë më lart në renditje.

Në Durrës djemtë e drejtuar nga Luan Zmijani, kanë bërë detyrën duke fituar 3-0. Dy prej golave janë shënuar që në pjesën e parë. Fillimisht ka qenë sulmuesi Ardit Nikaj që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 7-të, ndërsa në të 29-tën ka qenë Pusi, ai që ka dyfishuar shifrat.

Ndërsa në pjesën e dytë ka qenë mesfushori Samuel Asllani i cili ka trefishuar shifrat në minutën e 60-të. Përfundimisht 3-0 për Vllaznia U19 që ngjitet në kuotën e 25 pikëve dhe mban vendin e pestë në renditje.

Për të qenë në play-off, ata kanë vetëm një shans të vogël, që Laçi të gabojë javën e ardhshme në fushën e vet, që ka pak shanse të ndodhë.
www.shkodrasport.com