Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia U-21 ka fituar me rezultatin 3-2 ndeshjen e rradhës për kampionat ndaj ekipit të Erzenit, ndeshje kjo që është zhvilluar pasditën e sotme në stadiumin “Tofik Jashari” të qytetit të Shijakut. Të parët që kaluan në avantazh ishin shijakasit, me anë të futbollistit Bespalla, që dërgoi topin në rrjetë.

Megjithatë, më pas futbollisti i talentuar Ensar Tafili barazoi shifrat në 1-1. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa më pas në fillimin e pjesës së dytë, Ersi Zaganjori kaloi në avantazh Vllaznia U-21, duke shënuar golin e dytë.

Shkodranët shënuan edhe një gol tjetër me Antonio Delajn, duke i çuar shifrat në 3-1. Në minutën e 77-të, shijakasit shënuan me Bespallën nga penalltia, por thjesht për të ngushtuar shifrat, sepse i gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 3-2 të Vllaznia U-21. Pas kësaj fitoreje, kuqeblutë renditen në vendin e parë në kuotën e gjashtë pikëve.


U-21: Erzeni-Vllaznia 2-3

Golat për Vllazninë: Tafili 36’, Zaganjori 48’, Delaj 71’

Formacioni i Vllaznia U-21 (4-2-3-1): Bunjaj, Brahimi, Rroku, Pusi (Hagrepi 46’), Spahija, Sala (Podrimcaku 46’), Muhaj (Kaçaj 90’), Maliqi (Gallube 90’), Tafili, Delaj (Agraja 74’), Zaganjori (në dispozicion: Kola, Kallamoqi) Tr: Edmond Doçi