Edhe pse data shënon vetëm 13-korrik, ekipi i Vllaznisë U-21, nën drejtimin e trajnerëve Elvis Plori dhe Ergi Borshi ka zhvilluar në orët e pasditës seancën e parë stërvitore për sezonin e ri futbollistik. Një rast ky për t’u vlerësuar, kur skuadrat e tjera pritet ta fillojnë një proçes të tillë në muajt e ardhshëm.

Skuadra shkodrane ka nisur nga puna për sezonin e ri në fushën sportive “Reshit Rusi”, teksa në seancën e parë stërvitore ishin të pranishëm 18-futbollistë të Akademisë Vllaznia. Për Plorin dhe koleguin e tij Borshi, dita e sotme ishte dita e parë e punës në krye të 21-vjeçarëve kuqeblu, ku fillimisht mësohet se do të ketë disa seanca seleksionuese, të cilat janë parashikuar të jenë përreth dy javë dhe më pas me fiksimin e emrave që do të marrin besimin e stafit teknik, do të fillojë puna zyrtare me ekipin e ri të Vllaznisë U-21.

Vllazninë U-21, trajneri Plori do ta drejtojë duke pasur si ndihmës Ergi Borshin, i cili do të vijojë të jetë në këtë detyrë, ashtu si edhe sezonin e kaluar. Ndërkohë, krahas drejtimit të Vllaznisë U-21, për Plorin do të ketë edhe një detyrë tjetër të ngarkuar nga klubi kuqeblu, që do të jetë ajo e promovuesit të talenteve të Akademisë Vllaznia.

Sezonin e kaluar, ekipi shkodran i U-21 u drejtua nga trajneri anglez Dean Sibson, si edhe kolegu i tij Ergi Borshi, ku në përfundim trajneri anglez u largua, duke mbyllur kontratën që kishte me Vllazninë U-21.

Një ekip ky, që siç është thënë edhe më herët, është furnizuesi kryesor i skuadrës së parë, pasi për hir të së vërtetës, një kontigjent i bollshëm i të rinjve që janë sot në ekipin e parë të skuadrës së parë të Vllaznisë, të drejtuar nga trajneri Mirel Josa, kanë luajtur më herët me Vllazninë U-21 dhe atë U-19. /Maringlen ZHIVANI/

Lista e futbollistëve në seancën e parë stërvitore të Vllaznia U-21:

Gledjan Pusi

Rinor Peku

Klesti Troshani

Arif Amuli

Arsen Elbasani

Egert Selmani

Gabriel Rroku

Sehar Bushaj

Elsaid Xhilaj

Enes Jahaj

Deniljo Moleci

Arval Maliqi

Ersi Zaganjori

Kevin Dodaj

Robert Gurra

Rezart Çoku

Armir Osmani

Mirsad Zahi

Tr: Elvis Plori