Ndërprerja e kampionatit shqiptar të futbollit për shkak të ndeshjes që kombëtarja jonë do të luajë në Portugali, do të shfrytëzohet nga ana e drejtuesve të Vllaznisë për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Kështu, stafi drejtues me në krye trajnerin Raineri, ka vendosur që të zhvillojë një takim të tillë pasditen e së enjtes. Kundërshtari I kësaj miqësoreje do të jetë Veleçiku I Koplikut, skuadra kjo që drejtohet nga trajneri Kreshnik Krepi.  Ndeshja do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ajo që është më interesantja ka të bëjë me atë që orari I planifikuar është ai 19.00.

Që do të thotë se takimi mund të luhet nën dritat e projektorëve. Ndezja e tyre rikthehet pas shumë kohësh dhe ky mund të jetë një test që dritat të ndeshen edhe për ndeshjen e së mërkurës me Tiranën për kampionatit. Miqësorja me Veleçikun pritet të jetë edhe një ballafaqim si të themi në mes Vllaznia A dhe Vllaznisë B. Kjo ngaqë në rradhët e ekipit koplikas luajnë disa futbollistë shkodranë të huazuar pikërisht nga kuqeblutë. Duke filluar nga portieri Hallunaj dhe për të vazhduar me Nikshiqin, Hebajn, Idrizin, Gurishtën, Borshin, Kozmajn e të tjerë. Përveç kësaj, kjo ndeshje pritet me interes edhe nga ana e stafit drejtues të Vllaznisë por edhe tifozët e kësaj skuadre sepse do kenë mundësinë të shohin në fushë për herë të parë futbollistët e ardhur së fundi nga merkatoja. Dhe do jetë pikërisht kjo paraqitje e tyre në këtë ndeshje kontrolli, ajo që do të vendosë për aktivizimin e tyre në ndeshjen e së mërkurës me Tiranën apo jo.
www.shkodrasport.com