Miqësorja e tretë dhe e fundit e Vllaznisë para nisjes së kampionatit, ka konfirmuar faktin se skuadra ende nuk është aty ku duhet. Kuqeblutë kanë barazuar 1-1 në miqësoren e luajtur ndaj ekipit të Burrelit. Ndeshja është luajtur pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” dhe është konsideruar të jetë testi vendimtar I vendasve në prag të sfidës së parë të kampionatit, atë që do të luajnë javën e ardhshme me Kukësin. Trajneri Raineri  e ka nisur lojën me portierin Selimaj, për të vazhduar me Gocaj, Beqiri, Sykaj, Bacin në mbrojtje, me Tafilin, Shalën, Kalajën dhe Shtubinën në mesfushë si dhe me dyshen Kruja- Dibra në sulm.

Pjesa e parë e takimit është mbyllur në barazim 0-0 ndërsa në fillimin e pjesës së dytë ka qenë Arsid Kruja që me kokë ka shënuar golin e vetëm të Vllaznisë në këtë miqësore. Kur u duk se takimi do mbyllej me këtë rezultat, ka qenë Myftaraj ai që në minutën e 89-të ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke mposhtuar portierin malazez Giljen. Në këtë ndeshje gjatë pjesës së dytë janë aktivizuar edhe Zefi, Marku, Dema, Markolaj, Vecaj e Ferhati. Përfundimisht 1-1 në këtë miqësore e cila shfaqi jo pak probleme për vendasit. Duket qartë se skuadra ka nevojë për përforcime në çdo repart dhe ndonëse ato janë premtuar, ende nuk kanë mbërritur në Shkodër.

www.shkodrasport.com