Prurjet tek Vllaznia vazhdojnë sërish, gjithnjë në përpjekjet për të gjetur lojtarët e duhur si përforcim për sezonin e ri. Edhe në seancën e pasdites së sotme ka patur zhvillime dhe të pranishëm kanë qenë të tjerë futbollistë. Ka rënë në sy prania e dy portierëve të tjerë si dhe e mesfushorit Gentian Manuka. Portierët e ardhur janë malazezi Scekiç dhe slloveni Pridigar. Nga të dy ata, sot është stërvitur vetëm malazezi ngaqë tjetri ka mbërritur pak me vonesë dhe do të jetë nesër në stërvitje me ekipin.
Nemanja Scekiç është 24 vjeç, 1.93 i lartë dhe së fundi ka luajtur në ligën e dytë të Serbisë me ekipin Sindjeliç të Beogradit. Ndërsa slloveni Marko Pridigar është 31 vjeç dhe kërkon një përvojë të re pas atyre që ka kaluar me Maribor, Zeljezniçar etj dhe tani po kërkon të bindë edhe drejtuesit e Vllaznisë për të firmosur me ta. E ndërsa dy portierë të tjerë tashmë kanë ardhur për provë, një tjetër është larguar. Bëhet fjalë për malazezin Delibashiç që nuk arriti stafin kuqeblu dhe për rrjedhojë është larguar.Me interes duhet parë edhe mesfushori Manuka. Këtë të fundit trajneri Cungu e njeh mirë ngaqë e ka patur një sezon tek Kukësi dhe natyrisht që ia di vlerat por i vetmi dyshim është gjendja e tij sepse siç dihet, lojtari në sezonin që shkoi kur ishte pjesë e Tërbunit, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në gju dhe prandaj tashmë duhet parë forma e tij. Nëse gjithçka është Ok sa i takon asaj, nuk përjashtohet mundësia që Manuka të firmosë për Vllazninë ngaqë skuadra ka nevojë për një përforcim në linjën e majtë. Megjithatë derisa të merret ky vendim duhet pritur edhe disa kohë. 25 vjeçari ka zhvilluar vetëm seancën e parë sot me kuqeblutë dhe në ditët në vazhdim do të ketë të tjera lajme për këtë futbollist.
© shkodrasport.com