Tek skuadra shkodrane nis ardhja e futbollistëve të ndryshëm për provë. Në stërvitjen e sotme kanë qenë plot katër të tillë që janë shfaqur në fushën “Reshit Rusi” dhe janë vënë në dispozicion të stafit teknik të saj. Të parët që kanë mbërritur kanë qenë dy futbollistë kosovarë. Bëhet fjalë për portierin Ilir Avdyli dhe mesfushorin Valdrin Rashica. Ata kanë mbërritur sot në drekë në Shkodër dhe pasdite janë bashkuar me ekipin në stërvitje duke zhvilluar të parën seancë stërvitore.

Të dy këta futbollistë në fakt, në pjesën e dytë të sezonit të kaluar kanë qenë pjesë e kampionatit shqiptar, i pari me Tiranën dhe i dyti me Skënderbeun por pa gjetur mundësinë për t’u aktivizuar. Dhe nëse nuk ia dolën me sukses me këto dy ekipe, tashmë po synojnë të gjejnë hapësira tek Vllaznia. Siç mësohet nga drejtuesit e klubit shkodran, Cungu është shprehur i gatshëm për t’u dhënë mundësinë të dy atyre të tregojnë vlerat e tyre dhe nëse bindin, mund të firmosin për këtë skuadër. Megjithatë duhet pritur. Stafi drejtues i kuqebluve ka treguar se nuk i pranon kollaj tek Vllaznia pa i bindur plotësisht. Por ndërkohë, përveç tyre në stërvitjen e pasdites së sotme ka qenë i pranishëm edhe një tjetër portier: malazezi Jasmin Agoviç. Ky i fundit ka ditë që po kontaktohet nga drejtuesit shkodranë dhe tashmë ai ka vendosur që të nisë një provë të shkurtër sa për të treguar veten para trajnerit të portierëve Avenir Dani. Por edhe një tjetër futbollist ka ardhur në provë. Bëhet fjalë për mesfushorin shkodran Adi Zaha i cili vitet e fundit ka luajtur në Greqi E nëse sot kanë qenë të pranishëm në stërvitje katër futbollistë të ardhur për provë, në ditët në vijim priten edhe të tjerë të vijnë, jo vetëm nga vendet e Ballkanit por edhe më gjerë. Ideja është që të gjenden lojtarët e duhur për të plotësuar nevojat që ka skuadra për lojtarë cilësorë.

© shkodrasport.com