Mesdita e së hënës ka rregjistruar stërvitjen e parë të ekipit të Vllaznisë për vitin 2014. Ajo çfarë ka rënë në sy në këtë seancë të parë, ka qenë prania e tre futbollistëve që kishin ardhur për provë. Bëhet fjalë për mbrojtësin boshnjak me pasaportë sllovene Aleksandar Beriç, për mesfushorin serb Ivan Kurtusiç dhe për mesfushorin kosovar të ardhur nga ekipi I Drenicës Hysen Tahiri. Të tre këta futbollistë do jenë në provë për disa ditë dhe nëse bindin stafin drejtues do të firmosin. E ndërsa këta tre futbollistë sot kanë zhvilluar seancën e parë me kuqeblutë, ka rënë në sy mungesa e mbrojtësit shkodran Klodian Semina I cili thuhet të ketë shkuar në Sllovaki për t’u provuar në një ekip të atij kampionati.Po kush janë tre futbollistët e ardhur për provë?
Aleksandar Beriç, është një futbollist bosnjak me pasaportë sllovene. I datëlindjes 01.04.1988, ka një shtatëlartësi prej 1.96 m dhe luan në rolin e mbrojtësit të qendrës. Ai ka luajtur me ekipin Nk Zagorje fillimisht, për t’u transferuar më pas në Slloveni tek Fk Drina Zvornik dhe Rudar Trbovlje ndërkohë që në fillim të vitit që shkoi, ka kaluar në Norvegji tek ekipi FK Moss. Siç dihet atje ka mbaruar kampionati para pak kohësh dhe ai është vënë në kërkim të një skuadre tjetër teksa pretendon të firmosë tashmë me Vllazninë.
Futbollisti tjetër i ardhur për provë është mesfushori me tipare shkatërruese, serbi Ivan Kurtusiç mësohet se ka dalë nga Akademia e klubit të mirënjohur Crvena Zvezda. Më pas ai ka luajtur me Vojvodinën, FK Smederevo, ka provuar të luajë edhe në Francë me Bastian, më pas në Bosnjë me Borac Banja Luka, në Maltë me Gudja United FC ndërsa kohët e fundit ka luajtur në Bahrein me Manama Club.
I treti që ka mbërritur sot në Shkodër është Hysen Tahiri. Ai luan si mesfushor krahu, teksa mund të aktivizohet si në të djathin ashtu edhe në të majtin. Në kampionatin kosovar ky futbollist luan për ekipin e Drenicës, i cili ndoshta ka qenë zbulimi i këtij kampionati me paraqitjet e bëra dhe Tahiri ka patur kontributin e tij. Sipas trajnerit Agim Canaj, të tre këta futbollistë do provohen menjëherë por kuptohet që për të qëndruat tek Vllaznia, duhet të bëjnë diferencën me futbollistët aktualë. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Gjergj KOLA