Kuqeblutë kanë zhvilluar mesditën e sotme seancën e rradhës në përgatitjet e saj për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajnë ditën e shtunë ndaj Dinamos.
Në këtë seancë kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, përfshi këtu edhe Malotën e Likën që kanë patur probleme por duket se po rikuperohen gradualisht dhe mund të jenë shpejt në dispozicion të stafit teknik.
Por nga ana tjetër, edhe sot në stërvitjen e kuqebluve ka patur diçka të veçantë: Që prej fillimit të javës së kaluar, me ekipin është duke u stërvitur edhe mesfushori 18 vjeçar Uheid Hoxha.
Ai ka spikatur këto muajt e fundit me ekipin U19 të Vllaznisë dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur që ta kalojnë për momentin tek ekipi i parë ku do të jetë nën vëzhgimin e stafit teknik, i cili do të krijojë një ide më të qartë mbi vlerat e këtij futbolli.
Drejtuesit e klubit kanë ndër mend që në ditët e ardhshme, përveç Hoxhës, me ekipin e parë të bashkohen në stërvitje edhe 3-4 elementë të tjerë të ekipit të të rinjve, kuptohet ata që janë më cilësorët dhe premtojnë më shumë.
Në këtë mënyrë, në fund të sezonit, stafi do të ketë të qartë gjithçka në lidhje me këto lojtarë. Duhet thënë se Hoxha ka luajtur në pjesën e dytë të miqësores që Vllaznia ka zhvilluar javën e kaluar me Laçin dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë.
Padyshim që ky është një bonus për të dhe padyshim që do ta ndihmojë për t’u përmirësuar edhe më shumë sepse ekipi i parë ka të tjera përgjegjësi.
© shkodrasport.com