Paraditen e djeshme është prezantuar para gazetarëve blerja më e re e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, amerikani Brandon Hog. Ai ka mbërritur mbrëmjen e një dite më parë në Rinas ku është pritur nga përfaqësues të klubit shkodran dhe më pas ka udhëtuar drejt Veriut të vendit. Ai është prezantuar nga ana e trajnerit Gjeçaj dhe e inspektorit Zaganjori të cilët janë shprehur të kënaqur me këtë përforcim.Trajneri Bledar Gjeçaj ka folur për këtë sportist dhe merkaton e kësaj skuadre kur ka thënë:
“Brandon luan në pozicionet 1 dhe 2, pikërisht aty ku ne kemi nevojë dhe ku na u krijuan probleme kohët e fundit pas largimit të Sarajlijës apo dëmtimit të Llazanit. Ai na është propozuar nga menaxherë të ndryshëm, e kemi ndjekur përmes videove të ndryshme dhe kemi rënë dakord që të luajë për ne në pjesën e mbetur të sezonit. Besoj se do na bëjë punë dhe drejtuesit e shoqatës brenda mundësive financiare që kanë, po tentojmë edhe marrjen e një tjetër basketbollisti të huaj me të cilin jemi ende në bisedime dhe mund të mbyllim çdo gjë shumë shpejt. Kuptohet që me këto përforcime, ne bëhemi më të fortë dhe do të jemi të gatshëm kësisoj për play- offin ku natyrisht që pretendojmë fitoren e titullit kampion”. Përveç amerikanit Hog, nesër ose pasnesër pritet të mbërrijë edhe një tjetër amerikan i cili në këtë mënyrë do të mbyllë merkaton e kuqebluve gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë vetë Hog, në prononcimin e parë për mediat, ka thënë: “Kam parë disa video dhe kam dëgjuar se tifozët këtu janë shumë të zjarrtë. Kam ardhur tek ekipi kampion në fuqi i Shqipërisë dhe që pretendon sërish të shpallet kampion. Besoj se do ta ndihmoj për të arritur objektivin që ai ka”. Presidenti i ekipit Sokol Dibra në këtë mënyrë po bën maksimumin për të mbushur boshllëkun e lënë bosh nga largimi i Sarajlijës dhe Pajoviç. Hog tashmë ka ardhur, pritet edhe amerikani tjetër dhe pas kësaj gjërat duken në rregull. Për arsye dokumentacioni, play- makeri i sapoardhur pritet të mos luajë ditën e nesërme ndaj Apolonisë megjithatë do të jetë i gatshëm për takimet në vazhdim.
Gjergj KOLA