Kampionatet kombëtare të basketbollit si për meshkuj edhe për femra nuk do të nisin gjatë muajit shtator. Kështu duket se është vendosur nga ana e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Drejtuesit e kësaj Federata janë angazhuar për momentin me përgatitjen për Asamblenë që do të zhvillohet në fund të këtij muaji. Vetëm pas saj, mendohet të nisin kampionatet. Ekipet megjithatë kanë kohë që kanë nisur stërvitjet dhe ndër to edhe Vllaznia ka nisur prej kohësh të bëhet gati për të marrë pjesë në këtë kampionat. Ekipi i meshkujve që do drejtohet sërish nga Bledar Gjeçaj, është në fazën përfundimtare të përgatitjeve. Ajo çfarë vërehet në seancat e këtij ekipi është fakti se me të është bashkuar ditët e fundit edhe basketbollisti shtatëlartë Fatjon Taraboshi. Ai në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Teutës së Durrësit dhe rikthimi i tij tek Vllaznia sigurisht që është një lajm i mirë për stafin drejtues të saj. Vlerat e këtij sportisti njihen nga të gjithë dhe për rrjedhojë ai pritet të jetë një pikë e fortë e skuadrës shkodrane për sezonin e ri. Por kur mendohej se disa gjëra u rregulluan me ardhjen e Taraboshit, një tjetër titullar është larguar nga Vllaznia. Bëhet fjalë për Fatjon Gjokën. Ky i fundit ka marrë një ofertë më të mirë financiare nga ekipi Kamza Basket dhe prej disa ditësh është bashkuar me të në stërvitje. Në këtë mënyrë, ekipi shkodran duket se edhe për sezonin e ri do të qëndrojë në të njëjtat pozita, me të njëjtin objektiv për të qenë në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit.
www.shkodrasport.com