Vllaznia në basketboll për meshkuj më në fund është ndalur. Pas 14 ndeshjesh të shoqëruara me fitore, pasditen e djeshme ajo është mundur në kryeqytet nga rivali kryesor për titull kamza Basket. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit të kamzës në fakt është shoqëruar me një rivalitet të fortë, aq sa për të përcaktuar ekipin fitues është dashur të luhet kohë shtesë. Ndeshja ka nisur mirë për Vllazninë. Ajo ka fituar periodën e parë me rezultatin 20 me 12 dhe kjo epërsi është thelluar në periodën e dytë teksa e ka fituar atë me rezultatin 22 me 15. Në këtë mënyrë, skuadra e trajnerit Bledar Gjeçaj ka shkuar në pushimin e takimit me 15 pikë avantazh. Kjo krijoi idenë se do të fitohej edhe kjo ndeshje por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Në periodën e tretë, është kamza Basket që fiton 21 me 14 duke ngushtuar kësisoj edhe rezultatin dhe në periodën e katërt, është sërish Kamza Basket që fiton 23 me 15 dhe në këtë mënyrë në fund të 40 minutave të takimit, është fiksuar rezultati I barabartë, 71 me 71. Kjo ka bërë që të dy ekipet të jenë të detyruara të luajnë 5 minuta shtesë në të cilat ka qenë Kamza Basket ajo që ka dominuar në të gjitha drejtimet, duke I fituar ato me rezultatin 12 me 4 dhe krejt takimin në shifrat 83 me 75. Kjo ishte humbja e parë e Vllaznisë në 15 ndeshje kampionat dhe në rrethana të tilla sigurisht që duhet analizuar megjithatë ekipi shkodran vazhdon të jetë I pari në renditje dhe pretendenti kryesor për titullin kampion. Loja e zhvilluar në Kamëz tregoi se lufta në plej- of me shumë siguri do të jetë shumë e fortë dhe për këtë arsye, kuqeblutë duhet të përmirësohen sërish.
© shkodrasport.com