Për kuqeblutë pas tre javësh stërvitje vjen miqësorja e parë. Ajo do të zhvillohet ndaj ekipit malazez të Zetës. Ndeshja do të luhet të hënën me datë 13 korrik në orën 18.30 në stadiumin e qytetit të Tuzit të vendit fqinj. Lajmi bëhet i ditur nga ana e trajnerit të skuadrës shkodrane Luan Zmijani. Natyrisht që miqësore të tilla janë shumë të nevojshme sepse skuadra thuajse është ndërtuar nga fillimi dhe natyrisht që do kohë për konsolidimin e saj. Ekipi deri më tani ka zhvilluar një stërvitje të lehtë dhe kryesisht stafi teknik është marrë me seleksionimin e lojtarëve të shumtë të ardhur për provë. Vllaznia i ka shfrytëzuar pauzat në mes kampionateve për të zhvilluar ndeshje miqësore dhe kuptohet që ekipe malazeze kanë qenë mundësia më e mirë nisur edhe nga afërsia gjeografike në mes dy vendeve. Ndeshja që do të luhet ditën e hënë ndaj Zetës nuk do të jetë e fundit për kuqeblutë këtë periudhë sepse gjatë zhvillimit të fazës përgatitore në Nikshiq, janë menduar të zhvillohen edhe 4-5 ndeshje të tjera dhe kuptohet që rivalë do jenë ekipet malazeze. Në këtë miqësore ndaj Zetës ditën e hënë, do të jetë debutimi i parë në fushë me fanellën e skuadrës shkodrane i katër futbollistëve të blerë në merkaton aktuale, e pikërisht i portierit Andrija Dragojeviç, i mbrojtësit të qendrës Stefan Cicmil, i mesfushorit Jasir Selmani dhe i sulmuesit Darko Paviçeviç. Ndoshta deri atë ditë, mund të ketë të tjerë futbollistë që mund të vijnë ose për provë dhe ndoshta edhe me kontrata të firmosura.

www.shkodrasport.com