
Mund të duket e çuditshme por në Shkodër sa I takon futbollit të luajtur, më shumë se çdo gjë tjetër ky qytet ka nxjerrë sulmuesa. Ata janë të shumtë, të gjithë emra të mëdhenj dhe që kanë mbetur në mendjen e të gjithëve. Portierë ka shumë pak, mund të numërohen me gishtat e njërës dorë ata më cilësorët. Mbrojtësa diçka më ndryshe e po ashtu edhe mesfushorë. Për sulmues skuadra e këtij qyteti- Vllaznia, nuk ka vuajtur asnjëherë. Mjafton të përmendim disa nga emrat më të famshëm që nga krijimi I kësaj skuadre dhe deri më sot: Muhamet Halili, Loro Boriçi, Xhevdet Shaqiri, Xhelal Juka, Hamdi Bakalli, Selami Dani, Medin Zhega, Roland Luçi, Fasli Fakja e për të vazhduar me brezin e pas viteve ’90 me Milotin, Sinanin, Martinin, Salihin, Sukaj, Balën e Vajushin. Përmendën vetëm disa prej tyre. Ata që kanë qenë ndër shënuesit më të mirë të kampionateve në vitet e mëparshme. Disa prej tyre kanë qenë pjesë e Vllaznisë deri pak kohë më parë. Sot ndërkohë është tjetër histori. Kjo skuadër ka mbetur pa sulmues. Ajo është detyruar të marrë tiranasin Hysa, mund të vijë edhe kosovari Rexha por mungon një shkodran me peshë. Këtë gjë, trajneri aktual I Vllaznisë Shpëtim Duro po e vuan. Po e vuan edhe skuadra e cila në pesë miqësoret që ka luajtur së fundi, e ka ndjerë vështirësinë e shkuarjes tek goli. Mungojnë goleadorët shkodranë. Vetëm Brenda dy sezoneve të fundit, kjo skuadër ka humbur katër emra- “big”. Vioresin Sinani pas një karriere të shkëlqyer 15 vjeçare, I ka dhënë fund futbollit të luajtur pak muaj më parë. Xhevahir Sukaj pavarësisht ndonjë problematike të sillte, ka qenë I pazëvendësueshëm për talentin e tij në fushën e lojës por në janar të këtij viti e përzunë nga skuadra. Për Bekim Balën dy sezone më parë u tregua më shumë interes për përfitimin financiar nga shitja e tij sesa nga garantimi I sulmit të Vllaznisë dhe gabimi u pasua pas kthimit të tij nga Turqia kur nuk u bind të kthehej sërish në Shkodër. I fundit nga këta sulmues klasi është Armando Vajushi. Edhe ky lojtar nuk u menaxhua siç duhet dhe tashmë ai luan në Bullgari. Nëse këtyre katër emrave, u shtojmë edhe Hamdi Salihin, numri I sulmuesve të klasit që ka nxjerrë Shkodra shkon në pesë. Në vetëm 6-7 vite. Nuk ndodh në asnjë klub tjetër shqiptar. Ata janë të gjithë me vlera, ndër më të mirët që ka nxjerrë futbolli shqiptar këto vitet e fundit. Jo më kot, katër prej tyre luajnë me sukses në kampionate të tjera jashtë vendit, Salihi në Amerikë, Sukaj në Iran, Bala në Çeki dhe Vajushi në Bullgari. Qytetet e tjera nuk mund të kenë kaq lojtarë duke luajtur në nivele të tilla jashtë vendit. Prandaj dhe themi se Shkodra është burim talentesh megjithatë ky burim duket se tashmë po shterron. Fakti që për sezonin e ri, ajo nuk ka asnjë sulmues shkodran për të ndihmuar, e vërteton më së miri këtë. Ndoshta është një pauzë e momentit. Në fakt është Arsen Hajdari por ai më tepër luan si mesfushor. Duhet pritur ndoshta derisa të vijë momenti I Sindrit Gurit, këtij 19 vjeçari të talentuar që pëlqehet shumë edhe nga trajneri Duro dhe ndoshta ky është sezoni I shpërthimit të tij. Nëse nuk kemi një sulmues cilësor të gatshëm dhe shkodran për ta ndihmuar Vllazninë në këto momente, këtu ndoshta është edhe faji I keqmenaxhimit të drejtuesve të klubit këto vitet e fundit. Në Shkodër nuk është e vështirë të gjesh sulmues. Madje trajnerët e ekipeve të moshave në këtë qytet thonë se e kanë të vështirë të gjejnë portierë apo mbrojtës sepse të gjithë fëmijët duan të bëhen sulmuesa. Loja e bukur që kjo skuadër ka zhvilluar gjithmonë në vite, është treguesi më I mirë për këtë dëshirë të fëmijëve të sotëm megjithatë ekipi I parë po vuan për këtë sot.
Gjergj KOLA