Kuqeblutë kanë zhvilluar paradreken e sotme seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes që do të luajnë nesër ndaj Burrelit dhe tashmë gjithçka duket gati për të. Madje edhe formacioni thuajse është profilizuar.
Stafi teknik ka patur vetëm një dilemë për aktivizimin apo jo të lojtarit Gurishta i cili kishte pësuar një dëmtim të njërit prej gishtave të këmbës por ai tashmë duket se ka kaluar.
Për këtë arsye, pritet që Vllaznia edhe ndaj matjanëve do të luajë me të njëjtin formacion si në ndeshjen e kaluar me Korabin. Pra në portë do të jetë sërish Sherri, ndërkohë që në mbrojtje do të luhet me tre lojtarë, ku Malota do të jetë në qendër ndërsa Ignat dhe Zeqaj në krahë.
Para treshes së mbrojtjes do jenë dy lojtarët e krahëve, Gocaj në të majtë dhe Gurishta në të djathtë ndërkohë që në qendër do të luajë Krymi me Tafilin dhe Hajdarin. Para tyre do të jetë kapiteni Lika që do të ndihmojë në sulm brazilianin Junior.
Me këtë formacion ekipi shkodran do të synojë fitoren e nëntë në kampionat dhe ruajtjen e distancës prej katër pikësh me Erzenin e vendit të dytë në renditje. Trajneri Lika nuk e konsideron aspak të lehtë këtë përballje ndaj Burrelit dhe ka kërkuar vlerësim maksimal nga futbollistët e tij.
© shkodrasport.com