Ndonëse duhen edhe disa orë për të nisur ndeshja në “Loro Boriçi” në mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes, duket se gjithçka është vendosur sa i takon formacionit me të cilin do të luajnë kuqeblutë. Trajneri Lika nga sa është parë, nuk ka asnjë dyshim në lidhje me 11-shen që do të hedhë në fushë në orën 13.30 të ditës së nesërme.

Nga sa mësohet, edhe ndaj lezhjanëve do të luajë i njëjti formacion që ka luajtur edhe në tre ndeshjet e kaluara. Meqenëse ai është formacion fitues (ka triumfuar ndaj Korabit, Burrelit e Dinamos), stafi teknik nuk ka ndër mend ta ndryshojë përderisa lojtarët e tij nuk mungojnë për arsye kartonash edhe dëmtimesh.

Edhe dy futbollistë që kanë ndjerë shqetësime të vogla si Gocaj e Junior, i kanë kaluar ato dhe prandaj do të jenë në fushë nga minuta e parë.

Pra 11-shja do të jetë e përbërë nga portieri Sherri, për të vazhduar me treshen e mbrojtjes të përbërë nga Zeqaj, Malota dhe Ignat. Më të avancuar para saj do të jenë Gurishta e Gocaj.

Në qendër të mesfushës do luajnë si zakonisht Krymi e Tafili ndërsa treshja sulmuese do të jetë e përbërë nga Lika, Hajdari dhe Junior. Me këtë formacion, Vllaznia do të synojë fitoren edhe ndaj Besëlidhjes në këtë takim të rradhës.
© shkodrasport.com