Nesër në orën 13,30 në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luhet ndeshja e fundit e këtij viti, ajo në mes Veleçikut pritës dhe Vllaznisë. Kuptohet që kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet sepse koplikasit pas fitores së fundit në Fushë- Krujë kanë rihyrë në pesëshen e parë dhe prandaj i duhet pikë edhe ndaj kuqebluve.

Por edhe këta të fundit nuk mund të gabojnë më sepse gara sa vjen e vështirësohet. Ekipi shkodran ka zhvilluar paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore dhe tashmë çdo gjë duket gati për sfidën e nesërme.

Po ashtu edhe trajneri Lika duket se e ka të qartë 11-shen që do të hedhë në fushë. Kështu, në portë do të jetë përsëri Sherri ndërsa para tij do të jetë treshja e mbrojtjes e përbërë nga Zeqaj, Ignat dhe Malota. Më të avancuar në krahë do të luajnë Gocaj e Gurishta ndërsa në qendër të mesfushës do jetë sërish dyshja Krymi- Tafili.

Ndërkohë treshja ofensive do të jetë e përbërë nga Lika dhe Hajdari që do të jenë në mbështetje të brazilianit Junior. Siç shikohet, është i njëjti formacion që ka qenë edhe në katër ndeshjet e fundit, çka tregon se stafi teknik nuk ka ndër mend të ndryshojë asgjë edhe këtë herë.
© shkodrasport.com