Premtimet e bëra nga presidenti Alban Xhaferi për të sjellë tek Vllaznia të tjerë lojtarë cilësorë, pritet të konkretizohen ditën e enjte. Kjo ngaqë këtë ditë mendohet të bashkohen me ekipin dy basketbollistë të tjerë. Nga sa është thënë do të jenë një amerikan pikërisht Anderson Kyron dhe tjetri një kroat Dayan Merlot, ata që do vijnë këtë herë, fillimisht për t’u testuar dhe më pas nëse bindin, për të firmosur me kuqeblutë.

Po ashtu po bisedohet edhe me Ante Boziç, edhe ky kroat por që ka luajtur në Amerikë. Drejtuesit e ekipit po bëjnë të gjitha lëvizjet për të gjetur lojtarët e duhur. Pasi dështuan me dy prej tre amerikanëve, u detyruan t’i largojnë ato nga Shkodra dhe tashmë po shohin mundësinë për të marrë basketbollistë të tjerë.

Por përveç të huajve, po shihet mundësia për të marrë edhe ndonjë basketbollist cilësor nga kampionati shqiptar, pavarësisht problemeve që kanë ato me ndërprerjen e kontratave me ekipet aktuale. E rëndësishme është që presidenti Xhaferi dhe drejtori teknik Halili po lëvizin të gjithë gurët për ta nxjerrë Vllazninë nga pozita aktuale ku ndodhet.

Siç dihet, ekipi shkodran ka mbyllur një gjysëm të parë të kampionatit si asnjëherë tjetër në historinë e tij me vetëm 1 fitore në 10 ndeshje të luajtura. Rrjedhimit mban edhe vendin e fundit në renditje. Gara për t’i shpëtuar rënies nga kategoria pritet të jetë e fortë sepse edhe Kamza e Tirana, ekipe këto që mund të konsiderohen rivalë, kanë bërë edhe ato përforcime.

Gjithsesi në Shkodër ka më shumë dëshirë, më shumë investim dhe mundësi për të bërë lëvizjet e duhura. Duke shpresuar fillimisht që lojtarët të cilët do të vijnë nesër, të jenë cilësorë.
© shkodrasport.com