Java e 17 e Kategorisë Superiore ka rezervuar një takim interesant. Në orën 16:00 në “Selman Stërmasi”, Vllaznia do të jetë udhëtuese në kryeqytet, për t’u përballur me Partizanin.
Historikisht kjo ndeshje ka mbartur emocione të forta, nisur edhe nga objektivat dhe përbërjet e skuadrave. Vllaznia ka treguar se është më e “efektshme” jashtë fushe, çka sjell alarmin në kampin e Partizanit. Shkodranët kanë bërë më mirë në transfertë, duke fituar katër dhe barazuar tre takime, nga tetë të luajtura.
Mirsad Jonuz i ka kushtuar vëmendje të theksuar këtij takimi, duke dashur të mbyllë këtë vit me fitore. Në konferencën e djeshme për shtyp, maqedonaso-veriori ka kërkuar katër përforcime në janar.
Vllaznia duhet të “shesë” përpara se të blejë. Emrat më të mundshëm për t’u larguar në janar, nisur nga minutat dhe performanca janë: Ristevski, Kojokaru, Uenderson dhe Emerson. Sot kundër Partizanit priten ndryshime të theksuara, duke mos rrezikuar me lojtarët e ndëshkuar me karton.
Formacioni i mundshëm:
Vllaznia 4-4-2: Sherri, Gurishta, Shehi, Malota, Godfrej, Gligorov, Ramadani, Kruja (Shtubina), Marku, Lika, Zogaj