Vllaznia do të luajë kundër Luftëtarit në ndeshjen e kësaj fundjave. Takimi do të zhvillohet ditën e shtunë, prej orës 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ekipi shkodran do të ketë një finale mbijetese, pasi humbja me Teutën ka bërë që skuadra kuqeblu të kalojë në vendin e 9-të duke qenë në zonën e rënies me pikë të barabarta me durrsakët.
Kamza është 1 pikë larg, por luan me Lushnjen këtë javë. Shkodranët kanë nevojë vetëm për fitore në sfidën kundër Luftëtarit, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte dështim për skuadrën shkodrane, sidomos në tabelën e klasifikimit.
Trajneri Ernest Gjoka ka disa dilema në ndeshjen kundër Luftëtarit, pasi duhet të përzgjedhë formacionin titullar që do të hedhë nga minuta e parë.
Numri një i stolit ka patur probleme në ndeshjet e fundit në mbrojtje, pasi mbrojtësi Renato Malota kishte probleme me drejtësinë.
Ai është rikthyer dhe tashmë është gati për trajnerin Ernest Gjoka. Ky i fundit do ta aktivizojë direkt për sfidën kundër gjirokastriteve, pasi skuadra ka nevojë për shërbimet e tij.
Nga krahu tjetër, Gjoka duhet të zgjidhë dhe dilemat e aktivizimit ndërmjet sulmuesit Erald Çinarit dhe Andi Ribajt. Në ndeshjet e fundit u preferua Andi Ribaj, pasi luajti mirë kundër Lushnjes.
Në takimin kundër Luftëtarit, trajneri Gjoka ka vendosur të aktivizojë nga minuta e parë Çinarin. Ky i fundit ka qenë titullar në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe ka bërë mirë.
Lojtari ishte duke ikur në janar, por Vllaznia ndërhyri në kohë dhe e mbajti në skuadër. Partizani donte me ngul shërbimet e lojtarit, por tekniku Gjoka vendosi veton për të.
Ai nuk lejoi largimin e lojtarit në fjalë. Humbja e formacionit nuk i pëlqen Çinarit që do të ketë shansin e tij nga minuta e parë me gjirokastritet. Ekipi synon që të ketë dhe mbështetjen e tifozerisë. /EDS/