Në turneun e përvitshëm të ekipeve të moshave që zhvillohet në Barcelonë të Spanjës “Komm Mit International”, fitues i edicionit të sivjetëm është një ekip nga Shqipëria. Bëhet fjalë për “Vllaznimin” që drejtohet nga një emër i mirënjohur si Edi Martini. Në mes 10 ekipeve pjesmarrëse nga mbarë Bota, shkodranët kanë triumfuar duke merituar kupën e ekipit fitues. Ka qenë një turne për moshën U-13 dhe ekipet pjesmarrëse janë ndarë në dy grupe me nga pesë skuadra secili.
“Vllaznimi” ka qenë në një grup me Partizanin e Tiranës të cilin e ka mundur 3-0 në ndeshjen e parë, me një ekip ukrainas që e ka mundur 3-0 në ndeshjen e dytë, një spanjoll që e ka mundur 2-0 në ndeshjen e tretë dhe një indian me të cilin është ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e katërt dhe të fundit në grup. Me 10 pikë të grumbulluara, “Vllaznimi” ka zënë vendin e parë në grup duke siguruar daljen në finalen e këtij turneu ku është ndeshur me fituesen e grupit tjetër, një tjetër ukrainas. Finalja ka qenë e bukur por e dominuar në të gjitha drejtimet nga djemtë e talentuar shkodranë që kanë fituar 4-0 duke merituar edhe kupën e vënë nga organizatorët. Sipas trajnerit Martini, ky sukses tregon vlerat që disponojnë këta fëmijë të talentuar. “Kemi rënë në sy jo vetëm për lojërat e bukura dhe suksesin e arritur por edhe për elementin që kemi prezantuar në fushë. Futbollistë si Qokthi, Zaganjori, Kiri, Tafili, Kulli, Guri etj, kanë marrë vëmendjen e shumë specialistëve dhe menaxherëve duke i konsideruar me shumë të ardhme”- është shprehur ai.
© shkodrasport.com