Sfida e së shtunës në “Loro Boriçi” edhe për Tiranën është mbase një nga më vendimtaret për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Fitorja në ‘Klasiken’ me Vllazninë do të thotë shumë për kampionatin e bardhebluve.
Edhe Tirana është futur në javën që mund t’i vendosë të gjithë sezonin. Bardheblutë do të kenë dy takime delikate, pikërisht ndaj Vllaznisë për kampionat dhe ndaj Teutës për Kupën e Shqipërisë.
Ekipi i trajnerit Orges Shehi do ta ketë kontigjentin e plotë në ndeshjen ndaj Vllaznisë, pa asnjë dëmtim dhe asnjë pezullim për kartonë, përveç Patrick që dihet që e ka mbyllur sezonin. Megjithatë, Tirana duket se ka të freskët një Kristal Abazaj që vjen nga dygolëshi ndaj Egnatias. Sulmuesi ka rigjetur formën, edhe pse ende nuk mund t’i përballojë 90-minutat e plota.
Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër në Klasiken ndaj Vllaznisë, 26-herë kampionët vijnë me pesë pikë avantazh me Partizanin dhe 11-pikë avantazh me kuqeblutë. Prandaj, trajneri Orges Shehi e ka të qartë se kjo ndeshje do të thotë shumë për kampionatin.
Maringlen ZHIVANI