Përgatitjet e ekipit të Vllaznisë për ndeshjen e rradhës me Kukësin po shkojnë drejt fundit dhe stafi teknik tashmë duket se ka menduar çdo gjë që ka të bëjë me këtë takim. Si për formacionin, ashtu edhe për mënyrën e të luajturit. Skuadra duket se po kalon momente të mira dhe në stërvitje ka entuziasëm. Këtë e tregon edhe fotoja e mëposhtme e hedhur në faqen e tij në rrjetin social facebook nga mesfushori kroat Ivor Weitzer.
“Asgjë nuk mund të na ndalë të bëjmë atë që duam, as edhe shiu i madh”- shkruan ai në postimin e tij. Në fakt, pikërisht në orarin kur Vllaznia ka qenë në stërvitje ditën e sotme, në Shkodër ka rënë një rebesh i madh shiu. Kjo nuk i ka penguar futbollistët dhe stafin teknik të vijojnë normalisht stërvitjen. Nisja e shirave natyrisht që krijon jo pak probleme për kuqeblutë. Siç dihet, në këtë qytet, bien shumë shira gjatë kësaj periudhe dhe për këtë arsye, skuadra është detyruar t’i spostojë seancat stërvitore nga fusha në Golem ku janë stërvitur deri tani, tek fusha “Reshit Rusi”. Kjo nuk është pengesë për ndryshimin e programit stërvitore dhe fotoja e mëposhtme e tregon më së miri këtë gjë. Pas një momenti jo të mirë që tregoi skuadra në 2-3 ndeshje, ajo iu rikthye sërish entuziasmit pas fitores me Teutën dhe barazimit me Tiranën. Për këtë arsye, do të synojë të marrë pikë edhe në Kukës dhe ndonëse përballë do të jetë një kundërshtar shumë i fortë, kjo nuk është e pamundur.
© shkodrasport.com