Vllaznisë i mungonte gati gjysma e ekipit në ndeshjen me Skënderbeun, që arriti ta fitonte me rezultatin 2-1, falë dy golave të Andi Ribajt.
Sukaj, Gocaj, dhe Mersini ishin të skualifikuar për ndeshjen e fundit nga kartonët dhe për javën e parë të fazës së katërt do të jenë gati.
Shqetësim mbetet vetëm çështja e Renato Malotës, që duket gjithmonë e më e vështirë për t’u zgjidhur, duke ditur se lezhjani është një person në kërkim, pasi nuk është paraqitur në polici.
Fitorja e fundit i ka ngrohur shkodranët, por nuk i ka qetësuar aspak, siç pohoi edhe vetë trajneri Gjoka pas ndeshjes, sepse gara e mbijetesës bëhet gjithmonë dhe më e egër.
Është edhe faza e katërt e kampionatit për t’u luajtur dhe Vllaznia është vetëm një pikë para Teutës, që po fiton javë pas jave.
Te Vllaznia e kanë të qartë se duhet të fitojnë çdo ndeshje, sepse frika e parakalimit nga Teuta është e madhe, por në lojë është edhe Kamza, që nëse humbet sot me Partizanin, është edhe ajo kandidate serioze për rënien nga kategoria.
Pozitiv është fakti që Vllaznia do të jetë më e plotë në ndeshjet e radhës, pasi i kthehen të paktën 3 lojtarë për javën e ardhshme ndaj Lushnjës. / Vipsport/