Drejtuesit e klubit Vllaznia kanë një listë të gjatë me emrat e lojtarëve, me të cilët mësohet se mund të fillohen bisedimet në javën e parë të korrikut. Gjithsesi, listës së drejtorit sportiv Firat nuk duket se mund t’i shpëtojnë edhe shkodranët që janë aktivizuar me ekipet e tjera.
Njëri prej tyre pritet që të jetë edhe mesfushori i krahëve, Ansi Nika. Ai është kthyer nga Kosova ku ka luajtur me ekipin e Gjilanit dhe është në kërkim të një ekipi të ri.
Për të, Vllaznia mund të jetë një alternativë, por kjo mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e klubit e kanë në projektet e tyre këtë lojtar. Nika ka qëndruar për 10 vite larg kuqebluve, ku është aktivizuar me disa ekipe në Superiore dhe së fundmi në Kosovë. Duket se nuk mund të jetë vetëm Nika një nga emrat, me të cilët mund të flitet për të qenë pjesë e kuqebluve në sezonin e ri. Një tjetër lojtar i dalë nga akademia Vllaznia e që u aktivizua në Maltë mund të jetë pjesë e planeve të klubit prej nga nisi karrierën.
Lojtari i ekipit përfaqësues U-21, Ildi Gruda, mund të jetë pjesë e planeve të kuqebluve. Golashënuesi më i mirë në kampin të akademisë Vllaznia para një sezoni është lojtar i lirë dhe drejtuesit e klubit kuqeblu shprehin menjëherë interesimin e tyre për ta pasur pjesë të planeve për sezonin e ri. Gruda ishte pjesë e planeve të klubit edhe në fillim sezonin që shkoi, por lojtari zgjodhi Maltën për të vijuar karrierën e tij. Tani me shumë gjasa drejtuesit e klubit do të shikojnë mundësinë e rikthimit të tij pranë skuadrës prej nga doli.
Të piketuar – Deri tani, drejtuesit e klubit shkodran mësohet se kanë një numër të madh të lojtarëve të piketuar për t’i pasur pjesë të tyren për sezonin e ri. Nga sa është mësuar nga burime pranë klubit kuqeblu, sulmuesit Silvio Xhunior dhe Rubin Hebaj janë dy nga emrat që janë në fokus për të firmosur për sezonin e ri.
Po ashtu, bëhet fjalë edhe për dy lojtarët që sezonin që shkoi ishin pjesë e ekipit të Kastriotit, pikërisht Herald Marku e Dajan Shehi. Të katër këta lojtarë janë pjesë e projekteve të klubit dhe që shumë shpejt mund të hedhin firmën mbi kontratë./panorama-sport/