Ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë nuk i ka mjaftuar as mbështetja shumë e madhe që i ka dhënë grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” gjatë gjithë ndeshjes për të mundur Tiranën. Ndeshja e vlefshme për javën e dytë të kampionatit kombëtar është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet sallës sportive “Fahrije Hoti” në kryeqytet.Ajo, pas më tepër se 2 orësh lojë shumë intensive, është mbyllur me fitoren e Tiranës 3-2. Kanë qenë bardheblutë ata që kanë fituar setin e parë në shifrat 25-20 dhe që në këtë set u duk qartë se shkodranët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë teksa bëjnë shumë gabime. Në të dytin megjithatë loja përmirësohet disi dhe fiton Vllaznia me shumë vështirësi 25-23 e po ashtu edhe të tretin 25-15. Të krijohet përshtypja se shkodranët do ta fitojnë këtë ndeshje por nuk do ndodhë kështu. Seti i katërt fitohet nga Tirana në shifrat 25-19, çka bën që ndeshja të shkojë në set final. Finale kjo që dominohet nga fillimi prej miqve që e mbyllin gjysmën e saj në shifrat 8-3 dhe krejt setin 15-10 duke fituar ndeshjen në sete 3-2. Vllaznia këtë ndeshje e nisi me këtë gjashtëshe: Atrid Miloti, Nikolin Qafarena, Tuad Drinazi, Ardit Taflaj, Endri Jukni dhe Fatjon Çekini ndërsa gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Mirjan Rrahishta, Dorjan Tafa, Klaudio Qeraxhija, Klaudio Gjoni, Besmir Tafili dhe Elton Doniku.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Vllaznisë s’i mjaftojnë as “Vllaznit Ultras” për të mundur Tiranën