Pasditen e sotme ekipi I Vllaznisë do të zbresë në fushë për të zhvilluar të parën miqësore të vërtetë në këtë periudhë përgatitore. Pas tre javësh stërvitje intensive në Shkodër, kuqeblutë tashmë do provojnë veten përballë një kundërshtari serioz. Bëhet fjalë për ekipin e Mornarit të Tivarit. Miqësorja siç është bërë tashmë e ditur, do të luhet sot në orën 18.00 në stadiumin e qytetit të Tivarit të Malit të Zi.

Ekipi shkodran do niset nga qyteti I tij mesditën e sotme dhe pas një pushimi të shkurtër do bëhet gati për ndeshje. Ky ballafaqim pritet me interes edhe nga stafi drejtues por në veçanti nga tifozët e Vllaznisë të cilët duken entuziast me ekipin që është ndërtuar për sezonin e ri.
Formacioni. Trajneri Duro duket se I ka të qarta idetë e tij për formacionin që do hedhë në fushë në ndeshjen e sotme. Me përjashtim të një dileme në krahun e majtë të mbrojtjes, 10 futbollistët e tjerë tashmë janë të përcaktuar. Në portë I padiskutueshëm është Vujadinoviç, në  mbrojtje nga e djathta Smajli, në qendër Beqiri dhe Osmani ndërsa në të majtë ka një dyshim. Begaj I ardhur nga një dëmtim ende nuk duket I rikuperuar plotësisht dhe me shumë mundësi edhe në ndeshjen e sotme, në këtë pozicion do luajë Belisha. Në mesfushë, nga e djathta do jetë Dragoi, në qendër Nallbani dhe Deliç ndërsa në të majtë Shtubina. Në repartin ofensiv do luajnë Hysa dhe pas tij Hajdari. Tashmë shumë gjëra tek Vllaznia janë mëse të qarta, formacioni, mënyra e të luajturit etj. Të paktën për momentin. Ndoshta deri sa të vijë edhe një sulmues tjetër.
Alternativat. Nëse në ndërtimin e formacionit deri tani gjërat duken në rregull, problemi I Vllaznisë aktualisht është mungesa e alternativave në stol. Numri I lojtarëve cilësorë në pankinë nuk është shumë I madh sidomos pas largimeve të Gocajt dhe Sykajt. Kështu, I gatshëm për portën është shqiptaro- malazezi Gjokoviç. Për mbrojtjen, rezerva janë për momentin vetëm Kraja dhe Belisha që mund të luajë si në qendër ashtu edhe në të majtë (gjithnjë nëse titullar është Begaj siç mendohet). Të tjerë nuk ka. Vetëm dy mbrojtës në dispozicion sigurisht që është shumë pak kur ke parasysh se lojtarët e këtij reparti janë më të predispozuar për të marrë kartonë, pa dalë pastaj edhe tek dëmtimet e mundshme. Në mesfushë ka diçka më tepër alternativa por edhe ata janë për momentin pa shumë përvojë. Belisha mund të luajë edhe këtu e bashkë me të është edhe Hasani. Të paktën deri në janar kur atij I mungon kontrata. Përveç tyre janë edhe të rinjtë Karakaçi, Bardulla, Dema, Tafa por edhe Shkjau I mbërritur së fundi. Edhe sulmi ka shumë pak alternativa në dispozicion. Të gatshëm janë vetëm Erkoçeviç dhe Guri sepse Gjinit do t’I duhet kohë të rikuperohet dhe të jetë I gatshëm për lojë. Por nga dita e sotme, me kuqeblutë në stërvitje do jetë edhe një sulmues serb. Nuk ka shumë informacion për të por gjasat janë që në takimin e sotëm ai të luajë disa minuta për të bërë të mundur kështu edhe përshtypjet e para për të tek stafi drejtues.
Miqësoret e tjera. Përveç ndeshjes së sotme me Mornarin, Vllaznia ka ndër mend të zhvillojë edhe tre-katër ndeshje të tjera miqësore në ditët e ardhshme. Ende nuk ka një plan të qartë se me kë do luhet por drejtuesit e klubit janë duke u marrë me këtë çështje. Nuk përjashtohet mundësia që të luhet sërish me ekipe malazeze apo dhe ndeshje të tjera me skuadra të kampionatit shqiptar. E rëndësishme është që Vllaznia të ketë mundësi të testohet ndaj kundërshtarëve realë në fushë në mënyrë që të bëhet gati për sfidën e 25 gushtit me Skënderbeun për kampionat.
Gjergj KOLA