Ndeshja e parë e kampionatit të ri në Shkodër për kuqeblutë ka sjellë një bojkotim të stadiumit “Loro Boriçi” nga grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras”. Nga ana e këtij grupimi, më i vjetri në Shqipëri, nuk ka ende një prononcim zyrtar për arsyet e këtij bojkotimi por me shumë të ngjarë ka të bëjë me pakënaqësitë e pjestarëve të tij me drejtuesit e klubit për shkak të mënyrës së menaxhimit por edhe për atë që Vllaznia ende nuk ka kaluar në dorën e privatit, një kërkesë kjo e vazhdueshme e tyre.
Mungesa e këtij grupimi në ndeshjen Vllaznia- Teuta padyshim që është ndjerë sepse “Vllaznit” janë shumë “të zhurmshëm” dhe atmosfera që ato krijojnë në stadium është shumë inkandeshente dhe padyshim që kjo ndikon për mirë edhe tek futbollistët. Pavarësisht se pasditen e djeshme në “Loro Boriçi” kanë qenë të pranishëm rreth 5 mijë tifozë megjithatë vetëm në momente të caktuara ata janë ndier duke mbështetur skuadrën. Natyrisht që shpresojmë që “Vllaznit Ultras” të rikthehen në stadium sepse Vllaznia ka nevojë për ta.
© shkodrasport.com