Pak ditë më parë, në faqet e gazetës on-line “shkodrasport” u fol për një interesim, në formë batute, të drejtuesve të Flamurtarit të Vlorës, për sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj, për në janar apo në qershorit e vitit të ardhshëm. Në të thuhej:”Jemi gati të japin tre sulmuesit, që kemi në janar, vetëm e vetëm që të kemi Sukajn në ekip”- kjo ishte shprehja apo batuta e lëshuar nga drejtuesit e klubit vlonjat pas takimin Flamurtari-Vllaznia 1-0.

Në fakt kjo nuk ishte një batutë e tillë, por një dëshirë e tyre, që gjithsesi ata nuk dëshironin t’i futeshin kësaj loje, duke parë pamundësinë e lënies të lirë të këtij lojtari nga klubi shkodran. Por duket se kjo batutë është ruajtur nga media të ndryshme për t’u përdorur përsëri këto ditë. Nga informacionet e ndryshme, por edhe nga burime të mirëinformuara pranë klubit të futbollit “Flamurtari”, bëhet e ditur se që prej takimit post-Flamurtari-Vllaznia e deri tani, nuk ka asnjë lëvizje apo përçapje për një “operacion” të mundshëm, që mundëson kalimin e sulmuesit shkodran në radhët e Flamurtarit, që në janar. Gjithsesi drejtuesit vlonjatë pohojnë edhe një herë tjetër faktin se Sukaj mbeten një futbollist i pëlqyer prej tyre, jo as që bëht fjalë të kenë nisur që tani negociatat apo të kenë autorizuar njeri për këtë çështje. “Absolutisht, nuk i vë askush në diskutim vlerat e sulmuesit shkodran Xhevahir Sukaj, që çdo skuadër në Shqipëri do ta dëshironte ta kishte në radhët e veta. E sigurisht, edhe ne. Por në krahun tjetër duam të përgënjeshtrojmë se gjithçka është folur në media, 24 orët e fundit, mund të konsiderohen me pak fjalë: thashethem. Edhe një herë e theksojmë se vlerësojmë vlerat dhe aftësitë e këtij futbollisti, por ne si klub nuk kemi hyrë në bisedime, as me vetë lojtarin, por as me klubin e futbollit “Vllaznia sh.a.”, por edhe nuk kemi autorizuar as njeri të negociojë për këtë çështje. Çdo gjë tjetër, mbetet në kuadrin thjesht të hipotezave. Në këto kushte, kur Sukaj është nën kontratë me klubin shkodran, as që nuk bëhet fjalë për të tentuar Flamurtari një gjë të tillë”, deklaruar një zyrtar i lartë i klubit të futbollit “Flamutari”, në lidhje me çështjen “Sukaj”.
Mejdan Zhivani