A ka probleme mes Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës? Nëse do t’i rreferoheshim deklaratave të kreut të FSHF-së, Armand Dukës, do të besonim se gjithçka shkon “vaj”.

Nuk ka rast që Duka të mohojë marrëdhënie të tendosura me homologët e Federatës së Kosovës, por e vërteta qëndron ndryshe.

Të paktën sipas burimeve të referuara nga “Report TV”, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri më datë 22 shkurt (nesër) do të takojë presidentin e FIFA-s.

Arsyeja? Vokrri do të raportojë “vjedhjen” e talenteve të Kosovës nga ana e përfaqësueses së Shqipërisë.

Pikërisht talentet janë “molla e sherrit” mes dy federatave “motra” dhe Kosova ndihet e “vjedhur” nga Shqipëria. Vokrri ka reaguar ashpër, duke thënë se nuk do ta tolerojë më këtë situatë.

Politika e ndjekur nga FSHF për talentet e Kosovës duket se nuk i ka pëlqyer Federatës kosovare.

Në fakt, edhe pse më e re përsa i përket krijimit të saj, Federata e Futbollit të Kosovës pritet të ndjekë disa hapa të rëndësishëm në lidhje me pastërtinë e futbollit, pasi do të kërkojë që një prokuror të merret me të gjitha problematikat e futbollit, duke nisur që nga parandalimi i fenomenit të trukimit të ndeshjeve. Në ndryshim nga FSHF, e cila nuk ka çuar asnjë çështje të ngjashme në Prokurori…/Vipsport/