Vllaznia e volejbollit të femrave e ka nisur me fitore Ligën “Gjergj Kastrioti”. Në ndeshjen e parë të saj, ajo ka triumfuar me rezultatin 3-1 ndaj ekipit Drita të Gjilanit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Duhet thënë se ka qenë një ndeshje shumë e bukur dhe me rivalitet. Në fillim kanë qenë miket nga Gjilani që kanë fituar setin e parë në shifrat 25-21 dhe kjo krijoi përshtypjen se ato do ta fitonin ndeshjen ngaqë në përbërje kishin shumë lojtare me përvojë.

Drita e nis mirë edhe setin e dytë por më pas reagon Vllaznia që arrin ta fitojë atë 27-25 duke barazuar kështu në 1-1 numrin e tyre. Fitorja e këtij seti i dha zemër vajzave shkodrane që e fituan setin e tretë 25-22 duke e kthyer ndeshjen në favorin e tyre.

Kjo bëri që ekipi kuqeblu të ishte më i qetë në setin e katërt të cilin e dominon që nga fillimi e deri në fund duke e fituar atë 25-18 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Një fitore mëse e merituar e Vllaznisë e cila tregoi se po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe do të tregojë vlerat e saj edhe në këtë kompeticion.

Protagoniste të suksesit të sotëm kanë qenë të gjitha volejbollistet duke filluar nga kapitenia Auramchyk, për të vazhduar me Zhivanin, Kniazeva, Pronina, Malaj, Ballçiti, Kodra, Beci, Gjyshja e Erkoçi./SHKODRA-SPORT.COM/