Play off-i i kampionatit kombëtar duket gjithnjë e më larg për ekipin e Vllaznisë në volejboll për meshkuj.
Kjo pas humbjes së pësuar dje në Korçë ndaj Skënderbeut. Një humbje e pafalshme për kampionët në fuqi të vendit të cilët tashmë ia ndërlikojnë edhe më shumë punët vetes.
Seti i parë i ndeshjes ka qenë me shumë rivalitet por në fund ka fituar Skënderbeu 25-23.
E njëjta gjë edhe në të dytin, madje rregjistrohet përsëri i njëjti rezultat në favor të ekipit korçar.
Humbja e dy seteve të para, do të ulte moralin e volejbollistëve shkodranë të cilët humbasin edhe setin e tretë, këtë herë me shifrat 25-18 dhe kësisoj krejt ndeshjen me rezultatin 3-0.
Në këtë ndeshje padiskutim që ka ndikuar largimi i Nikolin Qafarenës dhe dëmtimi i Renato Kolës.
Por ky nuk është justifikim për pjesën tjetër të skuadrës. Vllaznia kishte vite e vite që nuk humbiste në Korçë, ndaj një kundërshtari relativisht të dobët.
Me këtë humbje ajo tashmë rrezikon seriozisht edhe futjen në katërshen e ekipeve më të mira të vendit, pikërisht të atyre që do të vazhdojnë luftën për fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com