Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia e volejbollit të femrave vazhdon të notojë në ujëra të turbullta. Ky ekip ka pësuar humbjen e rradhës, pikërisht ndaj Teutës në shifrat 3-1, në sfidën e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Sa i takon kronologjisë së ndeshjes së luajtur, Vllaznia e nisi keq, duke e humbur setin e parë në shifrat 25-22. Kjo krijoi idenë që Teuta do të ishte favorite për ta fituar ndeshjen, por në fakt Vllaznia zgjohet dhe fiton setin e dytë me shifrat 22-25, duke barazuar gjithçka.
Në vazhdim, pavarësisht rivalitetit në disa momente gjatë lojës, në fund do të ishin durrsaket, të cilat do të fitonin dy setet e tjera, 25-21 dhe 25-18. Në këtë mënyrë, vendaset fitojnë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1.
Tashmë, kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i fazës së dytë të kampionatit, Vllaznia do ta mbyllë atë me shumë mundësi në vendin e shtatë, duke lënë poshtë vetes Barleti Volley, ekip ky që ka vetëm një fitore.
Mesa duket, as përforcimet e bëra me tre volejbollistet amerikane, nuk kanë dhënë efektin e duhur tek ekipi kuqeblu që ka zhvilluar një sezon shumë të dobët. Megjithatë, tashmë e gjithë vëmendja e tyre duhet përqëndruar tek faza play-out.(www.shkodrasport.com)