Vllaznia e volejbollit të femrave është mundur në ndeshjen e rradhës për Ligën “Gjergj Kastrioti”, atë të luajtur pasditën e sotme në Korçë ndaj Skënderbeut me rezultatin 3-0. Në fakt, të dyja këto ekipe vinin në këtë ndeshje pas një fitoreje në Ligën “Gjergj Kastrioti”, por në fund ishin vajzat korçare ato që ia dolën me sukses.

Sa i takon ndeshjes, seti i parë ofroi një dominim të Skënderbeut në fushën e lojës, sepse volejbollistet mike që drejtohen nga trajneri shkodran, Besnik Lisha shfaqën dobësi në parket, duke bërë që seti i parë të mbyllet 25-14 për korçaret. Edhe seti i dytë duket si një fotokopje e të parit, kur Vllaznia shënon vetëm 18-pikë, por përsëri aty ndalet, duke i dhënë mundësi skuadrës korçare ta mbyllë edhe këtë set me fitore, 25-18.

Seti i tretë dha disi përshtypjen se Vllaznia e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha po kërkon fitoren, për të menduar më pas ndoshta edhe për diçka më shumë, pse jo. Megjithatë, vetëm kaq, sepse më pas ato bëjnë gabime të shumta, duke i dhënë mundësi Skënderbeut ta fitojë edhe setin e tretë, 25-21.

Përfundimisht, 3-0 për Skënderbeun që merr një fitore të merituar, duke siguruar fitoren e dytë rradhazi në Ligën “Gjergj Kastrioti”. Ndërkohë që, Vllaznia pasi të ketë analizuar me kujdes përballjen me Skënderbeun, do t’i duhet të punojë edhe më fort për të eleminuar disa gabime të shfaqura në këtë ndeshje, në mënyrë që në vazhdim në Ligën “Gjergj Kastrioti”, por jo vetëm, të rikthehen përsëri tek fitorja. /Maringlen ZHIVANI/

Skënderbeu-Vllaznia 3-0

25-14 / 25-18 / 25-21

Formacioni i Vllaznisë: Gjyshja, Ballçiti (libero), Erkoçi, Beci, L. Kodra, Kniazeva, Auramchyk (kap), Zhivani, Pronina, Malaj, D. Kodra Tr: Besnik Lisha