Ditën e djeshme në pallatin e sportit “Goga” në Durrës është luajtur një ndeshje miqësore në mes ekipeve të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe Erzenit.

Ky i fundit siç dihet është kampion në fuqi i vendit. Në fund të takimit (që ka zgjatur katër sete dhe jo pesë) është arritur rezultati i barabartë 2-2.

Stafet teknike të të dy ekipeve, nuk e kanë parë të arsyeshme të zhvillojnë set final meqenëse ka qenë thjesht një miqësore. Por duhet thënë se ka qenë një ndeshje shumë e mirë e ekipit shkodran.

Kuqeblutë që këtë sezon drejtohen nga trajneri Ermal Kraja, i kanë fituar dy setet e para dhe kjo i ka dhënë mundësinë stafit teknik të aktivizonte edhe lojtarët e rinj.

Prej kësaj ka përfituar Erzeni që ka arritur të fitojë dy sete njëri pas tjetrit duke barazuar shifrat. Megjithatë në kampin shkodran duken shumë të kënaqur me gjendjen aktuale.

Të përballesh denjësisht dhe si i barabartë me ekipin e Erzenit që ka një kontigjent shumë cilësor dhe të bollshëm lojtarësh, nuk është pak.

Rikthimi i Nikolin Qafarenës është një element shumë pozitiv që sëbashku me pjesën tjetër të ekipit, pritet të zhvillojnë një kampionat shumë të mirë. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, Vllaznia ka zhvilluar një tjetër miqësore këtë herë me Partizanin në Shkodër.

Ky i fundit ka fituar 3-2 por duhet thënë se paraqitja e shkodranëve ka qenë edhe në atë përballje shumë e mirë. Ata kanë udhëhequr me sete 2-1 por pas uljes në stol të disa titullarëve, ka përfituar ekipi i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori që ka fituar krej ndeshjen pas setit final.

Kampionati i volejbollit për meshkuj nis në fund të shtatorit dhe ekipi shkodran duket gati për një start të mbarë.
© shkodrasport.com