Vllaznia U21 në volejboll për meshkuj është kualifikuar dje për në finalen e kampionatit. Ajo ka arritur të triumfojë në dy gjysmëfinalet ndaj Farkës dhe si rrjedhojë e ka fituar të drejtën tashmë për të diskutuar çështjen e titullit dhe për koinçidensë ashtu si dhe sezonin e kaluar edhe këtë herë do ta diskutojë me Partizanin.
Skuadra shkodrane e drejtuar nga trajnerët Endri Jukni dhe Fatjon Çekini e ka mbyllur kampionatin e rregullt në vendin e dytë në renditje pas Partizanit kryesues dhe sipas formulës së Federatës, në gjysmëfinale është ndeshur me skuadrën e vendit të tretë, Farkën.
Ndeshja e parë gjysmëfinale është luajtur në Shkodër dhe është fituar nga volejbollistët kuqeblu me rezultatin e pastër 3-0, ndërsa dje është luajtur sfida e dytë në Farkë dhe sërish është fituar nga Vllaznia, por këtë herë me rezultatin 3-1. Si rrjedhojë me rezultatin 2-0 është kualifikuar ajo për në finale.
Përballë tashmë do të ketë ekipin e Partizanit, me ndeshjen e parë që do të luhet në Tiranë. Vllaznia vjet pat triumfuar ndaj kësaj skuadre duke u shpallur kampione e Shqipërisë dhe të njëjtën gjë do të synojë të bëjë edhe këtë sezon.(www.shkodrasport.com)