Të shpallurit kampion i Shqipërisë në vitin 2017 i ka mjatuar ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë të jetë tashmë ekipi më i financuar për këtë vit nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia. Ekipi që drejtohet nga trajneri Adrian Mikopula tashmë, do të përfitojë nga këto institucione shumën prej 34 milionë lekësh të vjetra. Në këtë shumë është llogaritur trajtimi ushqimor për sportistët, honoraret për trajnerët dhe pagesa e tarifave të federimit.
Deri një vit më parë, më i financuari ka qenë ekipi i basketbollit të meshkujve që ka qenë kampion edhe ai por mosshpallja sërish në vitin që lamë pas, e ka penalizuar në njëfarë mënyre atë. Llogaritjet e drejtuesve të klubit bëhen sipas një logjike të thjeshtë: Sukseset e një viti, gjejnë vëmendjen e duhur në vitin pasardhës, shoqëruar e shumën që do përfitojë dhe tashmë është ekipi i volejbollit të meshkujve më i financuari. Nëse ai fiton sërish titullin kampion, do të mbetet përsëri në këto shifra ose edhe do përfitojë më shumë, në rast të kundërt vlera financiare në dispozicion të tij zbritet. Një veprim i drejtë i drejtuesve për të motivuar edhe më shumë sportistët dhe trajnerët për të rritur edhe më shumë performancën e tyre.
© shkodrasport.com