Titujt kampionë për ekipet e Sportklub Vllaznisë nuk ndalen. Pas atij të volejbollit për të rritur, të futbollit të femrave dhe të basketbollistëve të rinj, një tjetër titull kampion pritet të vijë në Shkodër pasditen e së dielës. Bëhet fjalë për ekipin e volejbollit të të rejave të Vllaznisë. Ai do të luajë edhe një finale të dytë ndaj Skënderbeut, këtë herë në Korçë dhe të gjitha shanset janë që vazjat kuqeblu të meritojnë trofeun. Ato kanë fituar finalen e parë të luajtur në Shkodër tre ditë më parë, me rezultatin e pastër 3-0 dhe me këtë rezultat, por edhe me diferencën e madhe të pikëve në mes dy ekipeve, duket se të gjitha mundësitë janë që Vllaznia të shpallet kampione. Asaj i mjafton që të fitojë vetëm një set në Korçë dhe kupa do merret prej saj më pas. Megjithatë trajneri Adrin Mikopli është i bindur se jo vetëm do të fitohet një set por ekipi do të udhëtojë drejt Korçës me objektivin e qartë për ta fituar edhe ndeshjen e dytë dhe për t’i treguar të gjithëve se e meritojnë më shumë se kushdo titullin kampion këtë sezon. Një punë e mirë e nisur prej vitesh nga trajnerja e mëparshme, e ndjera Alda Kaçorri, e pasuar sezonin e kaluar nga trajneri Dorian Tafa, është ngjitur edhe më lart këtë sezon me punën që po bëjnë trajnerët Mikopli e Bardeli. Por jo vetëm kaq. Edhe vajzat që e përbëjnë këtë ekip, kanë ardhur duke u rritur shumë në nivelin e lojës dhe po dominojnë ndaj moshatareve të tyre. Spikasin emrat e Stela Kirit, Amela Qershisë, Iris Bardelit, Izabela Dodanit, Megi Memçaj, Leda Proçeta e për të vazhduar me të tjerat, Marinela Zefin, Antoneta Mollën, Artiola Stolajn, Ira Paçramin, Dea Kolajn e Xhesika Kaçin. Këto vajza pasditen e së dielës do ta shohin veten kampione të Shqipërisë për të rejat dhe ajo që ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër është se me këtë grup vajzash, e ardhmja e volejbollit shkodran të femrave, duket e sigurtë.
© shkodrasport.com