Përveç ekipit të basketbollit të meshkujve, edhe ai i volejbollit të Vllaznia, ka pësuar humbje këtë javë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Mark Kroqi ka luajtur edhe ai në kryeqytet ndaj Partizanit dhe është mundur me rezultatin 3-0. Ndeshja nuk ka patur shumë rivalitet. Vetëm në setin e parë, volejbollistët shkodranë kanë bërë maksimumin e tyre por pa arritur dot ta fitojnë atë sepse kanë qenë të kuqtë që e kanë fituar me shifrat 26 me 24. Vetëm kaq sepse në dy setet e tjera, ka qenë ekipi i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori që ka dominuar takimin duke i fituar ato me rezultatet 25-14 dhe 25-20. Në këtë mënyrë, për ekipin shkodran vjen edhe humbja e dytë në kampionat. Pasi u mundën javën e kaluar në Shkodër nga Studenti, humbja edhe në të dytën me Partizanin, sigurisht që ka rënduar jo pak pozitat e Vllaznisë e cila e nisi kampionatin duke qenë pretendente por me një vazhdimësi të tillë natyrisht që do ta ketë shumë të vështirë nëse nuk ndryshon. Diçka e papranueshme në fakt sepse përbërja e ekipit është e njëjtë, me atë të vjetshmen dhe në vend që të kishte një paraqitje më të mirë, ndodh e kundërta. Trajneri Kroqi pavarësisht dëshirës për t’i dhënë një ritëm tjetër kësaj skuadre, ende nuk ka arritur dot ta bëjë këtë gjë. Se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme, mbetet për t’u parë. Kampionati i sivjetëm pritet të ketë më shumë rivalitet se çdo tjetër pasi janë disa ekipe që do të pretendojnë titullin kampion. Studenti, Partizani, Tirana, Erzeni, Vllaznia dhe Farka kanë secili pretendimet e veta dhe kuptohet që do të fitojë ai ekip që do të gabojë më pak. Shkodranët në fakt, nuk e kanë nisur mirë kampionatin dhe kjo do t’i penalizojë jo pak ato.
© shkodrasport.com