Faza e parë e kampionatit kombëtar të volejbollit për femra ka përfunduar tashmë dhe menjëherë pas saj do të nisin ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Në këtë tur do të marrin pjesë të tetë skuadrat të ndara në dy grupe me nga katër secila.
Kjo është bërë sipas një skeme të përcaktuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit në bazë të renditjes së kampionatit. Vllaznia do të bëjë pjesë në grupin B dhe përveç saj në këtë grup janë edhe Barleti Volej, Partizani si dhe Skënderbeu.
Padyshim që kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë të cilët në fazën e parë të kampionatit janë paraqitur më mirë sesa ekipi shkodran megjithatë ky i fundit do të ketë pretendimet e veta në Kupë. Rikthimi në këto ndeshjet e fundit në ekip i pasueses Amela Qershia që mungoi për disa kohë, i ka dhënë një ngjyrë tjeëër atij dhe tashmë Vllaznia duket më e fortë.
Për në gjysmëfinale të kupës kualifikohen dy ekipet më të mira të secilit grup dhe kjo do të thotë se vajzat shkodrane do kenë pak shanse ngaqë përballë kanë ekipe me vajza me shumë përvojë por asgjë nuk është e pamundur.
Trajnerët Kroqi e Mikopli prej ditësh kanë punuar me skuadrën edhe nga ana psikologjike për t’ua bërë të qartë sportisteve të tyre se mund t’ia dalin të fitojnë. Kuptohet që ndeshja e parë ka shumë rëndësi. Nëse fitohet ndaj Barletit, Vllaznia do të merret zemër për vazhdimësinë dhe prandaj do të rriten shpresat për kualifikim.
Ndërkohë në fazën e dytë të kampionatit gjërat mund të marrin për mirë sepse siç ka bërë të ditur trajneri Kroqi mund të ndërhyhet në merkato për të sjellë lojtare me përvojë nga jashtë Shqipërisë. Nëse ndodh kjo atëherë Vllaznia jo vetëm që do të synojë futjen në plej- of por edhe për më tej.
© shkodrasport.com