Vllaznia në volejboll për meshkuj do të marrë pjesë në kupën e organizuar nga shqiptarët e Maqedonisë me rastin e festës së Flamurit, madje dhe emërtimi i këtij turneu është “Dita e Flamurit na bashkon në Uskanë”. Ajo do të zhvillohet ditën e dielë dhe të hënë dhe në të do të marrin pjesë 4 ekipe shqiptare, pikërisht Shutova e Kërçovës, Vllaznia e Shkodrës dhe dy ekipe kosovare. Pikërisht për shkak të këtij turneu, ekipi shkodran ka bërë edhe një ndryshim në kalendarin e ndeshjes së kësaj jave të kampionatit shqiptar. Ai duhet të luante në “Qazim Dervishi” me ekipin e Elbasanit, por me mirëkuptimin e këtij të fundit dhe me aprovimin e Federatës Shqiptare të Volejbollit është rënë dakord që kjo ndeshje të luhet në Elbasan dhe fazën tjetër pastaj në Shkodër.
Në këtë mënyrë volejbollistët shkodranë mesditën e së shtunës do të luajnë ndeshjen e kampionatit dhe më pas do të marrin rrugën drejt Maqedonisë për të marrë pjesë në këtë turne. Katër ekipet pjesmarrëse pra janë të tre shteteve, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Ekipi vendas dhe organizator i këtij turneu, Shutova e Kërçovës do të përfaqësojë Maqedoninë, Vllaznia përfaqëson Shqipërinë ndërsa Kosova do të përfaqësohet me Drenicën e Skënderajt dhe Luboteni i Ferizajt. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen ditën e dielë sipas shortit që do të hidhet po atë ditë ndëkohë që finalja pastaj do të zhvillohet pikërisht të hënën, më 28 nëntor, ditën e Flamurit. Një aktivitet shumë domethënës dhe jo më kot, edhe drejtuesit e Vllaznisë e kanë vlerësuar seriozisht propozimin e ardhur duke i thënë menjëherë “po” dhe natyrisht që përveçse për të marrë pjesë, do të kërkojnë edhe ta fitojnë këtë turne.
www.shkodrasport.com