Volejbollisti shkodran Arion Çuni shumë shpejt mund të bashkohet me një nga skuadrat e Kampionatit francez të volejbollit. Mësohet se ai prej disa ditësh ndodhet në Francë dhe atje po stërvitet. Volejbollisti është bashkuar me ekipin e Montpellier dhe për momentin vijon përgatitjet me ekipin universitar. Çuni sezonin e fundit është aktivizuar me ekipin kryeqytetas të Studentit nga ku ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka qenë ndër lojtarët kryesor të atij ekipi. Madje shkodrani me Studentin arriti të fitojë edhe trofeun e tij të parë me të rriturit duke fituar Kupën e Shqipërisë ndërkohë që skuadra tij rivalizoi ndjeshëm edhe për titullin kampion që e humbi vetëm në takimin e fundit me Teutën. Ndërkohë që Çuni para se të aktivizohet me Studentin ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit të Vllaznisë. Tek kuqeblutë volejbollisti është formuar dhe aty ka luajtur për disa vite duke qenë një nga sportistët më të mirë në ekip. Pas disa kohësh në radhët e Vllazninë mori vendimin për tu larguar drejt Studentit nga ku zhvilloi një sezon të suksesshëm me një nga ekipet më të mira të volejbollit shqiptar. Tashmë pas aktivizimit me skuadrat cilësore në vend si Vllaznia e Studenti, Çuni ka udhëtuar drejt Francës për ta vazhduar atje karrierën e tij sportive dhe për të provuar një aventurë të re në Europë. Montpellier është një ekip mesatar që aktivizohet në Ligën e Parë të Francës. Sezonin e fundit kjo skuadër në fund të Kampionatit u rendit në vendin e 8-të mes 14-të skuadrave pjesëmarrëse duke grumbulluar 41 pikë. Çuni është një volejbollist me cilësi të mira dhe që në Shqipëri gjithmonë është vlerësuar nga specialistët për lojën mbrojtëse por edhe për fuqinë e tij në aksionet sulmuese dhe rezistencën në lojë. Edhe tek ekipi francez ai është pëlqyer dhe me shumë mundësi në ditët në vijim do të firmosë kontratën e re që do ta bëjë atë volejbollist të Montpellier.

Senad Nikshiqi