Sportistët shkodranë që po ngjisin shkallët e karrierës së tyre jashtë vendit shtohen çdo ditë më shumë. Njëra prej tyre është padyshim edhe 15 vjeçarja Angela Çoba. Ne kemi shkruar edhe më parë për të, pikërisht pas ftesës që pat marrë nga kombëtarja italiane e grupmoshës U15 për t’u bërë pjesë e saj.

Kjo ka ndodhur pak muaj më parë, por ndërkohë karriera e Angelës po vjen në rritje dhe këtë e tregon edhe lajmi më i fundit që vjen nga shteti fqinj.

Kombëtarja U16 e Italisë do të grumbullohet më datë 24- 29 mars për të marrë pjesë në turneun ëevza i cili është kualifikues për Kampionatin Europian U-16 që do të zhvillohet në fillim të muajit prill në Slloveni.

Pjesë e kësaj kombëtareje do të jetë edhe shkodrania Angela Çoba që është pjesë e ekipit Visette Volley. E gjatë 1.77 metra, ajo po spikat me ekipin e saj dhe tashmë është përzgjedhur edhe tek kombëtarja italiane në prag të këtij evenimenti të rëndësishëm.

Në këtë mënyrë karriera e kësaj sportisteje ka nisur në mënyrë të shkëlqyer. Kuptohet që ka shumë për të bërë, për të arritur në nivele edhe më të larta, megjithatë e ka një shembull për të ndjekur.

Babai i saj, i mirënjohuri Gjon Çoba ka qenë jo vetëm një nga volejbollistët më të mirë të Shkodrës dhe Shqipërisë, por ka luajtur me sukses edhe në Itali. Aty ku emri i tij do të spikaste mbi të gjitha si trajner.

Duke punuar tek ekipi “Volley Modena” Gjon Çoba do të shpallej kampion dhe fitues i kupës së Italisë, por mbi të gjitha suksesin më të madh do ta arrinte kur fitoi “Champions League” të Europës në sezonin 2000-2001. Ndërsa një sezon më vonës do të kupës “CEV”.

Tashmë rrugën e Gjonit duket se do ta ndjekë Angela. Hapat e parë po i hedh shumë të rëndësishëm dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë, me siguri që askush nuk do i kujtojë se vajza e kujt është, sepse ajo do të krijojë profilin e saj si një sportiste e suksesshme, ajo do të jetë ANGELA ÇOBA.
Gjergj KOLA