Pas ngjarjes së rëndë së ndodhur në ditën e djeshme, ku është sulmuar trajneri i ekipit të Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka ardhur edhe reagimi i Voltana Ademit.
Në një prononcim për mediat, Voltana Ademi është shprehur se kjo ngjarje nuk ka ndodhur as në vitin 1997, teksa sulmi ndaj Gjokës, është përjetuar si një sulm edhe ndaj Bashkisë dhe qytetit të Shkodrës.
“Ngjarja e djeshme ishte skandaloze, mund të them se është shumë e rëndë dhe e pafalshme. Të cënosh numrin një të ekipit të Vllaznisë, trajnerin, atëherë është njësoj si të kesh cënuar Bashkinë, qyetetin dhe komunitetin.
Ajo që unë dua të them është se kjo ngjarje nuk është e Shkodrës. Kushdo që do të kërkojë cënimin e punës së ekipit dhe Bashkisë Shkodër, nuk ka për t’ia arritur. Ne jemi të hapur, transparent dhe nuk kemi lidhje me dikë apo disa që duan të na cënojnë.
Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 1997 dhe fakti se ka një ngjarje të tillë, është e rëndë për këtë qytet. Megjithatë kjo na motivon për ngritjen e këtij ekipi”, është shprehur Voltana Ademi.