Nëse sezonin e kaluar, Vllaznia u mjaftua vetëm me fitimin e Kupës së Shqipërisë, në sezonin e ri tifozët padyshim që duan titullin kampion. Ndonëse kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, e po ashtu edhe jo e pamundur, shpresat për ta janë të mëdha.
Megjithatë, një problem i madh që nuk po merr zgjidhje është ai i privatizimit të klubit. Komisioni i Prokurimit Publik ende nuk ka kthyer përgjigje për ankesën e biznesmenit Almiro Gurakuqi dhe në këto kushte Bashkia Shkodër është e detyruar të mos bëjë asnjë veprim tjetër.
Ndërkohë sponsori Alban Xhaferi është duke zbatuar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe partneritetit, megjithatë një situatë e tillë e krijuar ka nxjerrë jo pak probleme në pah. Shumë gjëra ai nuk është në gjendje t’i bëjë ashtu si duhet, megjithatë, përpjekjet e tij janë maksimale për të ndërtuar sërish një skuadër cilësore dhe pretendente.
Stafi teknik ka hartuar listën e kërkesave për merkaton dhe drejtuesit janë duke u munduar për t’ia plotësuar. Kuptohet që nuk është e lehtë, por gjithsesi njerëzit që po merren me merkaton janë duke bërë maksimumin në këtë drejtim. Trajneri Brdariç do së paku edhe 3-4 lojtarë të tjerë në skuadër si përforcim për repartet e mbrojtes, mesfushës e sulmit.
Kampionati i ri pritet të jetë shumë më i fortë se ai i sezonit të kaluar. Këtë herë, të paktën në letër, do të jenë plot 7 ekipe pretendente dhe kjo do ta bëjë garën shumë të vështirë. Vllaznia megjithatë tashmë e ka një përvojë të suksesshme atë të sezonit të kaluar dhe do të synojë t’ia dalë sërish me sukses.