Sot në Shqipëri do të votohet. Për parlamentin e ardhshëm, për qeverinë e re dhe shumë gjëra të tjera. Por vota e sotme, ndonëse është votë politike, ka lidhje të ngushtë edhe me sportin. Veçanërisht me Vllazninë. Themi kështu ngaqë presidenti I saj Agron Çela do jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve dhe do kërkojë votën e banorëve të Qarkut Shkodër. Duke kandiduar si I pari në listën e LSI-së për këtë Qark, ka shanse të mëdha të fitojë. Aq më tepër pas fushatës model që ka zhvilluar. Por më shumë rëndësi sesa fitoi apo humbi duket se ka e ardhmja e skuadrës shkodrane. Deri më sot thuajse nuk ka asnjë lëvizje tek ajo. Drejtuesit kanë qenë në fushatë dhe askush nuk e ka patur mendjen të kryejë punë me Vllazninë. Janë zhvilluar shumë bisedime, shumë fotografi dhe shumë premtime megjithatë realisht nuk ka asnjë lëvizje deri tani. Në një takim që vetë presidenti Çela ka patur me njerëzit e futbollit, ua ka bërë të qartë se përse e kërkonte votën e tyre. “Ndjehem I formuar si njeri dhe nuk do ishte mëkat nëse nuk do fitoja si deputet. Por nëse do fitoja, kjo do ishte në të mirë të Vllaznisë, Shkodrës dhe gjithçkaje prandaj dua votën tuaj”- u është drejtuar ai futbollistëve, trajnerëve, veteranëve por edhe tifozëve. Askush në fakt nuk mund të masë paraprakisht se sa vota prej këtyre njerëzve do marrë ky biznesmen I njohur. Kjo do përcaktohet ditën e sotme kur ata t’I drejtohen kutive të votimit. Shanset që të ai të fitojë ekzistojnë dhe në këtë mënyrë, mund të shpresohet tek një Vllazni e madhe dhe pretendente për titull ashtu siç është promovuar shpesh gjatë gjithë kësaj kohe, por…
Bashkia. Deri më sot të gjithë pjestarët e saj kanë heshtur. Askush nuk e ka pasë mendjen direkt tek Vllaznia. Drejtuesit e saj kanë heshtur edhe kur ekipi shkonte fshat më fshat për të zhvilluar ndeshje miqësore dhe ndonëse e dinin se skuadra e futbollit po shfrytëzohej për politikë. Kanë heshtur edhe kur në media janë bërë publike disa raportimeve të gazetarëve për borxhe të shumta ndaj futbollistëve. Kanë heshtur edhe kur vetë presidenti Çela në media pak ditë më parë do “t’I kërcënonte” për lëvrimin e fondit që e kanë bllokuar në Degën e Thesarit, se ndryshe marëdhënia mes tyre do rishikohej. Por nëse I kanë bërë të gjithë këto deri sot, nga nesër e prapa do jetë ndryshe. Me siguri që do ketë ndonjë lëvizje të Bashkisë që është pronare 100 për qind e aksioneve të Vllaznisë. Nën zë ka kohë që flitet për një prishje kontrate me biznesmenin Çela. Ajo që nuk dihet është nëse një gjë e tillë kushtëzohet nga dalja e tij deputet apo jo. Gjithsesi janë gjëra që tashmë do marrin zgjidhje shumë shpejt. Brenda dy- tre ditësh dhe pas kësaj periudhe me shumë mundësi do kemi mundësi të marrim vesh më shumë rreth Vllaznisë. Do jetë sërish Bashkia në krye të klubit apo do ja lërë sërish biznesmenit Çela administrimin e tij? Kjo mbetet për t’u parë. Por nëse qëndron kjo e dyta, kemi shanse për të shpresuar në një skuadër pretendente. Por ënse ndodh e para (drejtimin e merr sërish Bashkia) atëherë nuk do bëhet fjalë për një Vllazni pretendente por do mendohet për një rinovim të kësaj skuadre dhe për të menduar për mbledhjen e futbollistëve të rinj shkodranë kudo që ndodhen dhe bashkë me to të mendohet për të ardhmen. Ja pse zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme edhe për futbollin në Shkodër. Duhet pritur edhe pak orë dhe më pas gjërat do fillojnë të marrin rrjedhën e vet.
Gjergj KOLA

Merkato, fjala që nuk ekziston për momentin tek kuqeblutë
Prej ditës janë dëgjuar shumë gjëra. Ardhja e Likës, Vucajt, Dushkut, Ahmatajt e shumë e shumë të tjerë. Firmosja e parakontratave me tre malazezët ka qenë një tjetër hap gjoja në merkato. Në fakt, është bërë pak ose aspak në këtë drejtim. Për drejtuesit vëmendja maksimale ka qenë e përqendruar tek zgjedhjet. Sot është dita e tyre dhe pasi të marrë fund edhe kjo dilemë, do duhet të presim për dilemën tjetër. Atë se cilët futbollistë do shohim duke luajtur me fanellën kuqeblu në sezonin e ri. Dilema kryesore është ajo e pretendimeve. Nëse Vllaznia do pretendojë për më lart, atëherë edhe për disa ditë të tjera do të kemi shumë emra të lakuar në merkato. Por nëse është një Vllazni me lojtarë të rinj, objektivi do jetë I qartë: qëndrimi në Superligë në sezonin e ardhshëm dhe promovimi I elementit të ri. Gjërat nuk janë shumë të qarta në këtë periudhë e për këtë arsye, duhet tentuar deri në fund të merret më e mira e mundshme nga kjo merkato që në pamje të parë duket se do të jetë shumë e vakët.