Ka qenë një ndër lojtarët kryesorë të Vllaznisë këtë sezon, për të mos thënë se ka qenë lideri kryesor i ekipit me golat e tij. Fjala është për Herald Markun që ndoshta po kalon sezonin e tij më të mirë në karrierë. I njohur për luftën sportive, grintën dhe goditje nga distanca, mesfushori është shndërruar edhe në një golashënues këtë edicion.

Mëngjërashi deri më tani në këtë sezon ka shënuar 7 gola duke qenë kështu më i miri përsa i përket kësaj stastitike tek kuqeblutë. Dhe pavarësisht se luan në rolin e një mesfushori qëndror, ish-futbollisti i Partizanit ka ditur të jetë i rëndësishëm. E në prag të ndeshjes klasike me Tiranën nga ai pritet një tjetër performancë e një niveli të lartë.

Kjo pasi nga shumë kush ai cilësohet si ‘vrasësi’ i bardhebluve, ku dy nga golat e këtij edicioni kanë ardhur pikërisht ndaj kryeqytetasve.

E madje kanë qenë rrjeta goxha të rëndësishme pasi i kanë dhuruar 6 pikë shkodranëve në duelet ndaj kampionëve në fuqi të vendit. Ku duke mos përjashtur edhe sezonet e kaluara, Marku e ka gjetur shpesh rrjetën kundër Tiranës.

26-vjeçari pritet sërish titullar me shumë mundësi edhe këtë fundjavë ndaj ekipit të drejtuar nga Shehi. Po ashtu jo vetëm nga ai, por nga e gjithë skuadra pritet një reagim para publikut shkodran. Që patjetër kërkon një Vllazni të denjë dhe të tregojë se është dominuese në duelet e këtij sezoni kundër Tiranës.
Endri ÇINARI