Mauro Icardi nuk di të ndalet. Kapiteni i Interit, edhe në transfertën e zhvilluar në fushën e Spal-it, realizoi dy gola të rëndësishëm, që i dhanë 3 pikët ekipit të Spalletti-t.
Ndeshja nisi mirë për zikaltërit, teksa u deshën 14 minuta që argjentinasi të shënonte, falë edhe devijimit deçiziv të Djouru me dorë, drejt portës së tij. Pas katër minutash, vendasit patën shansin të barazonin, por ferrarezët shpërdoruan nga pika e bardhë. Një penallti që arbitri akordoi për faull të Miranda-s ndaj Felipe. Ishte Antenuçi ai që dërgoi mbi traun e portës së Handanovic.
Pikërisht slloveni bëri edhe një mrekulli ndaj Felipe-s, ndërsa Interi po me Icardi-n iu afrua golit të dytë.
Pas pushimit, Spal reagoi. Në fillim Petagna shpërdoroi një rast të mirë, ndërsa Paloschi e dërgoi në rrjetë mundësinë e tij. Një derbi për ish-milanistin, që festoi si i çmendur.
Por, mbrëmja kishte rezervuar edhe një tjetër gol, sërish me protagonistin Icardi-n. Asist i Perisic dhe argjentinasi që nuk gaboi përballë Gomis. Në fund, Perisic iu afrua golit të tretë për miqtë.
Me këtë sukses, zikaltërit ngjiten në kuotën e 16 pikëve, në vend të tretë të renditjes.