Barcelona është në probleme të mëdha. Katalanasit kanë në ekip katër qendërmbrojtës, por vetëm njëri prej tyre është gati për të luajtur ndaj Napolit. Samuel Umtiti u dëmtua në stërvitje dhe vazhdon rikuperimin, ndërsa Ronald Arauho pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës në ndeshjen e djeshme të Barcelonës B ndaj Sabadel. 21-vjeçari u detyrua të dalë nga fusha e lojës në minutën e 75-të.
Megjithëse mbrojtësi do i nënshtrohet sot ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, në Spanjë nuk janë aspak optimistë se uruguaiani do të jetë gati deri më 8 gusht, kur Barça sfidon Napolin në “Camp Nou” në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8-ave të Champions League (ndeshja e parë ka përfunduar 1-1).
Problemet për Kike Setien thellohen në faktin se Klement Longle është në dyshim për këtë sfidë për shkak të problemeve të shfaqura në ije. Barça nuk ka asnjë qendërmbrojtës tjetër të afirmuar në dispozicion dhe Pike mbetet i vetmi i gatshëm për këtë ndeshje.
Vuajtjet arrijnë kulmin kur kujtojmë se dy mesfushorë difensiv, që mund të vendosen edhe prapa në raste emergjente, Serxho Buskets dhe Arturo Vidal janë të pezulluar për shkak kartonësh në këtë ndeshje. /vipsport/